Tregu eshte "i uritur" per internet, jemi gati per 5G

23-04-2024
brano

Një vit pas lancimit të markës së re, drejtor i përgjithshëm i “One Albania”, Brano Djurovic ka ndarë me Monitor sfidat si dhe arritjet e kompanisë, duke u fokusuar në procesin e integrimit të dy ndërmarrjeve paraardhëse, si dhe gatishmërinë për kalimin e afërt në teknologjinë 5G.

Gjatë intervistës Djurovic ka folur edhe për të ardhmen e teknologjisë së telekomunikacionit në Shqipëri, duke u ndalur te iniciativa si krijimi i një linje kabllore direkte nënujore midis Shqipërisë dhe Egjiptit, por edhe konsolidimi i operatorëve për shkak të ngopjes së tregut dhe nevojës për të qëndruar në një hap me zhvillimin e teknologjinë.

Si i vlerësoni rezultatet e kompanisë gjatë këtij viti të parë pas krijimit të markës One Albania dhe si ka qenë reagimi i përdoruesve ndaj këtij ndryshimi?

Duke marrë parasysh që One Albania u lancua në treg në vitin 2023, duhet pranuar që ky ishte një vit shumë i rëndësishëm për markën tonë. Si i tillë ai u shënjua nga dy momente kyçe për One Albania.

Në janar të vitit 2023 ne filluam procesin e integrimit të kompanive One Telecommunications dhe ALBtelecom, të cilat bashkuan forcat dhe krijuan kompaninë e re One Albania. Më 14 mars u prezantua në treg marka e re rajonale One, një ditë e veçantë për të gjithë shqiptarët, pasi simbolizon ndryshimin e stinës dhe ardhjen e pranverës.

Kësisoj, rezultat e kompanisë mund të vlerësohen bazuar në këto dy ngjarje kryesore. Së pari, procesi transformues i integrimit të dy kompanive me rrënjë të thella në panoramën e biznesit shqiptar. Kishim të bënim me dy kompani me identitete të forta, secila me kulturë dhe mënyrë pune të veçantë dhe kjo ishte një detyrë ishte shumë impenjative. Krijimi dhe zhvillimi i një marke të re kërkon një cikël të gjatë transformues, i cili zakonisht zgjat të paktën 2-3 vite, në mënyrë që marka të integrohet dhe pranohet më së miri në treg.

Për më tepër, procesi i integrimit të teknologjisë kishte kompleksitetin e vet për shkak të bashkimit të rrjeteve celulare dhe fikse të ndjekura me aktivitetin paralel të mbështetjes së integrimit të sistemeve teknologjisë së informacionit. Kur ka kaluar më shumë se një vit nga ky proces, mund të themi se jemi në rrugë të mbarë drejt transformimit në ofrues shërbimesh plotësisht të integruar që mund t’i garantojmë të gjitha shërbimet tona celulare, fikse dhe TV një paketë e vetme.

Natyrisht, integrimi i biznesit dhe teknologjisë kërkon investime të konsiderueshme kapitale, të cilat janë siguruar nga pronarët tanë, Grupi hungarez 4iG. Një qasje e tillë pro-investuese nga Grupi 4iG tregon besimin dhe mbështetjen që ata kanë për One Albania dhe tregun shqiptar.Pavarësisht se kompania ka qenë e fokusuar ndjeshëm në transformimin e brendshëm, mund të themi me krenari se në vitin e parë ne përmirësuam pozicionin tonë në treg dhe arritëm rezultate të kënaqshme. One Albania ia doli jo vetëm të ruante, por edhe zgjeroi më tej bazën e saj të klientëve celularë, duke u fokusuar kryesisht tek abonentët me kontratë dhe duke shtuar më shumë se 100 mijë klientë të rinj me kontratë, gjatë vitit 2023.

One Albania u bë gjithashtu lider i tregut në segmentin e brezit të gjerë fiks, duke qenë operatori me klientët më të mëdhenj të brezit të gjerë fiks në Shqipëri dhe operatori me rrjetin më të madh të fibrave, që përfshin pothuajse 7.000 km fibër në të gjithë vendin. Paralelisht, ne po kalojmë klientët tanë nga teknologjia e vjetër e bakrit/ dsl drejt alternativave më të avancuara të fibrave dhe po zgjerojmë mbulimin. Parashikojmë se deri në fund të vitit do të mbulojmë me rrjet fibër afro 250.000 shtëpi. Së fundmi, por me tepër me rëndësi është të theksohet edhe fakti që marka jonë e re One pati një impakt shumë të madh në treg dhe arriti një ndërgjegjësim dhe njohje prej 90% në më pak se një vit.

A mendoni se një ribrandim i dytë kaq pak kohë (pas atij nga Telekom në One në 2020) krijoi vështirësi në perceptimin e konsumatorëve për kompaninë?

Marka është një element shumë i rëndësishëm për çdo biznes dhe industri, veçanërisht për industrinë e shërbimeve. Megjithatë, klientët mund të perceptojnë impaktin e markës në çdo pikë kontakti me kompaninë tonë. Duke folur nga një këndvështrim teorik, sigurisht që nuk jemi përballë një skenari ideal kur një markë ndryshon në një periudhë të shkurtër kohe. Prapëseprapë në rastin tonë, duke marrë parasysh që jemi në transformim të vazhdueshëm, u konsiderua si zgjidhja më e mirë për të integruar dy kompani nën markën e re One. Një qasje e tillë solli efekte pozitive, pasi kompania e re e krijuar është në pozita shumë më të mira në krahasim me dy kompanitë e pavarura që e përbënë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për markën e re. Ruajtja e fjalës One në emrin e kompani, siguroi një tranzicion më të lehtë dhe qëndrueshmëri te konsumatori. Ne tashmë jemi pjesë e një grupi rajonal telekomunikacioni dhe kjo na ofron shumë mundësi për bashkëpunim dhe ndërgjegjësim rajonal ndaj markës që vjen nga kompania simotër në Mal të Zi dhe shumë shpejt në Hungari.Për ta përmbledhur, me lancimin e One, ne sollëm një rifreskim dhe diferencim në treg. Ne synuam ta ndërtojmë historinë e markës tonë, duke u bazuar në disa vlera thelbësore, që janë ndershmëria, të qenit miqësorë dhe transparentë. Identiteti i ri vizual, me ngjyrat vjollcë dhe verdhë, na garantoi diferencim të qartë në treg.

Cilat janë pritshmëritë tuaja për shërbimet e teknologjisë 5G që pritet të jenë të disponueshme së shpejti?

Evolucioni i teknologjisë dhe ndryshimi i rrjetit të brezave është diçka e shumë pritur dhe emocionuese për të gjithë aktorët e kësaj industrie. Besoj se ne në One Albania jemi përgatitur si duhet për “mbërritjen’’ e 5G-së, pasi vetë procesi i brendshëm i integrimit na ofroi një mundësi për futjen e teknologjisë së re. One Albania është gati dhe plotësisht e angazhuar për të përmirësuar rrjetin celular në 5G. Krahas gatishmërisë së brendshme, tregu shqiptar ka evoluar shumë dhe tani edhe vetë bizneset janë duke nxitur implementimin e rrjetit 5G. Ndonëse mbetemi në shifra të ulta në vend ka nisur depërtimi i pajisjeve mobile 5G, që përbëjnë rreth 20% të të gjitha pajisjeve. Ne presim që ky tranzicion të vijojë dhe të ndodhë mjaft shpejt, pasi shumica e pajisjeve të reja e kanë të mundur aktivizimin e 5G-së. Për pak vite besoj se tregu do të kalojë me shumicë në 5G.Një tjetër element është zhvillimi i përdorimit të të dhënave celulare, ku kemi evidentuar një rritje me pothuajse 100% në vit në rrjetin tonë. Ky është një tregues se teknologjia 5G do të jetë e nevojshme së shpejti për të përmbushur kërkesat e klientëve. Duket se tregu mbetet “i uritur” për përmbajtje që kërkojnë të dhëna celulare, duke përfshirë këtu shërbimet e transmetimit të videove në internet dhe përdorimin e rrjeteve sociale.

AKEP miratoi muajin e kaluar masa të reja rregullatore për operatorët e tregut celular. Cilat mendoni se mund të jenë efektet e këtyre masave të reja rregullatore?

Ne e kuptojmë plotësisht përpjekjen e AKEP-it për të krijuar një “mjedis’’ të rregulluar me synim zhvillimin e tregut dhe përmirësimin e konkurrencës. Është shumë e vështirë të parashikohen efektet e plota të masave të fundit. Pikëpamja ime personale është se produktet e shërbimeve celulare janë shumë konkurruese dhe masat e fundit nuk do të ndikojnë në produktet e reja në mënyrë të ndjeshme. Edhe vetë kërkesat e klientëve janë të orientuara drejt përdorimin të dhënave celulare dhe shërbimit digjital, më tepër se te minutat në paketat e tyre.

Pas një viti që kishte në fokus proceset e bashkimit dhe emrit të ri të kompanisë, cilët janë objektivat kryesore të One Albania për këtë vit?

Objektivat e së ardhmes janë të përqëndruara drejt progresit të vazhdueshëm. Për momentin, pikësynimi kryesor i One Albania është të përfundojë plotësisht transformimin dhe të përmbushë ambicien për të qenë ofrues i shërbimeve të integruara. Ne do ta arrijmë këtë ambicie përmes zhvillimit të vazhdueshëm të rrjetit celular dhe prezantimit të 5G-së në vitin 2024, të mbështetur me zhvillimin e mëtejshëm të rrjetit fiks të fibrave optike.Përmirësimi i përvojës së klientit është objektivi ynë i përhershëm. Gjatë procesit të transformimit vitin e kaluar kemi mësuar shumë edhe nga kërkesat e klientëve. Synimi ynë është t'i japim zgjidhje shumicës së këtyre kërkesave. Gjithashtu, ne po shqyrtojmë mundësipër digjitalizimin e shërbimeve dhe operacioneve tona. Gjatë këtij viti do të vendosim bazat për digjitalizimin e mëtejshëm.

Po ashtu, ne po eksplorojmë shumë mundësi për të zhvilluar alternativa të reja të posaçme për biznesin, duke u fokusuar në sinergjinë me kompanitë e IT-së nga portofoli i grupit 4iG. Përveç kësaj, do të bëjmë një përpjekje për të përditësuar ofertat tona dedikuar shërbimeve të hotelerisë, duke i ofruar një mundësi rritjes së kësaj industrie.Një synim tjetër pak më afatgjatë është projekti ndërkombëtar që kemi nisur së bashku me grupin 4iG, lidhur me zhvillimin e kabllove nënujore midis Shqipërisë dhe Egjiptit. Ne kemi nënshkruar një marrëveshje me dy qeveritë dhe projekti ka hyrë në fazën e planifikimit. Ky projekt pritet të ndryshojë modelin tonë aktual të biznesit. Shtrirja e fibrave optike ndërkontinentale do të hapë mundësi të reja për zhvillimin e telekomunikacionit. Nëse arrihet kjo, Shqipëria do të bëhet një vend tërheqës për ofruesit globalë të përmbajtjes dhe për qendrat globale të të dhënave. Ky është një objektiv afatgjatë dhe nëse zhvillohet, efektet do të jenë të prekshme për disa vite.

Si prisni që ofrimi i shërbimeve të integruara celulare dhe fikse nga operatorët e telekomunikacionit në Shqipëri të konsolidohet dhe zhvillohet më tej?

Kur erdha në Shqipëri vitin e kaluar, u befasova me numrin e operatorëve të telekomunikacionit fiks të pranishëm në treg. Numri ishte tepër i lartë dhe varionte nga 200 në 300. Besoj se ky është një fenomen lokal, pasi është e pamundur të gjesh  një vend europian me një numër kaq të madh operatorësh fiks. Nëse marrim parasysh numrin e familjeve dhe trendin e popullsisë, kuptohet që nevojitet një konsolidim i tregut në vitet e ardhshme.Mendoj se arsyeja kryesore pse tregu është në këtë gjendje është lloji i biznesit, i cili ka çuar në zhvillimin e qindra operatorëve vendorë. Pa dyshim që do të jetë sfiduese për shumicën prejt tyre që të ecin përpara, pasi do të përballen me ritmin e zhvillimit të teknologjisë dhe nevojën për të ofruar një shërbim më cilësor dhe të lidhur me internetin. Në mënyrë që ta përballojnë një presion të tillë tregu, pritet që operatorët të bashkojnë forcat ose nëpërmjet bashkimeve ose përmes konsolidimit.Nga ana tjetër duhet të mbajmë parasysh se si rrjedhojë edhe e përpjekjes së qeverisë për hyrjen në Bashkimin Europian, lufta kundër piraterisë së përmbajtjes dhe evazionit fiskal, do të barazojë “kushtet e lojës’’ për të gjithë operatorët, gjë që do të reduktojë organikisht konkurrencën e paligjshme.